Alarm në Elbasan! Reshjet përmbytin banesa dhe toka bujqësore, disa zona në rrezik serioz

Data

Reshjet e dendura të shiut gjatë orëve të fundit kanë përkeqësuar ndjeshëm situatën në Qarkun e Elbasanit, duke shkaktuar përmbytje banesash, bllokime kanalesh dhe dëme në tokat bujqësore.

Zona më problematike mbetet Bashkia Belsh, ku prania e ujit është konstatuar në disa banesa, ndërsa shtëpi të tjera ndodhen në rrezik të drejtpërdrejtë. Në disa akse rrugore janë regjistruar rënie inertesh, por qarkullimi është normalizuar pas ndërhyrjeve.

Situatë e rënduar paraqitet edhe në Bashkinë Cërrik, në Njësinë Administrative Shalës, ku bllokimi i një kanali kullues dhe prurjet e mëdha të ujit kanë vënë në rrezik disa banesa. Autoritetet vendore janë vënë në lëvizje për të parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm.

Në qytetin e Elbasanit, problematika më serioze është shfaqur në zonën e ish-Kombinatit Metalurgjik, ku janë përmbytur pesë banesa. Shkak për këtë situatë është bërë bllokimi i kanalit kullues si pasojë e punimeve infrastrukturore, ndërsa mjetet e rënda janë nisur për të ndërhyrë në terren.

Përmbytje janë evidentuar edhe në Njësinë Administrative Gjergjan dhe në fushën e Muriqanit, ku toka të shumta bujqësore ndodhen nën ujë për shkak të bllokimit të kanaleve kulluese.

Situata mbetet dinamike dhe nën monitorim të vazhdueshëm, ndërsa qytetarët këshillohen të tregojnë kujdes dhe të raportojnë çdo problematikë që mund të rrezikojë jetën apo pronën e tyre.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related