Moti i keq që ka përfshirë vendin prej ditës së djeshme ka shkaktuar probleme serioze në qarkullimin rrugor në jug të Shqipërisë. Aksi nacional Gjirokastër–Kakavijë është i bllokuar në zonën e Kordhocës, përballë fshatit Lazarat, për shkak të sasive të mëdha të inerteve të rëna në rrugë nga reshjet e dendura të shiut.
Në vendngjarje ndodhen punonjësit e firmës mirëmbajtëse, të cilët po punojnë me mjete të rënda për hapjen e segmentit rrugor. Megjithatë, për momentin qarkullimi mbetet i pamundur.
Po ashtu, është bllokuar edhe rruga Gjirokastër–Valare, në vendin e quajtur Ura e Aznakut. Në disa zona të qytetit të Gjirokastrës ka ende prezencë inertesh, të cilat kërkojnë ndërhyrje të vazhdueshme për pastrimin e tyre.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të shmangin lëvizjet në këto segmente dhe të ndjekin njoftimet zyrtare për rikthimin e qarkullimit normal.
