Një ditë pas reshjeve të dendura që “pushtuan” Durrësin, situata në pjesën më të madhe të qytetit është përmirësuar. Akset kryesore rrugore janë tashmë të kalueshme dhe niveli i ujit është tërhequr në shumicën e zonave urbane.
Megjithatë, problematika mbetet e theksuar në zonën e ish-kënetës, veçanërisht në bllokun e banesave përreth burgut të Durrësit. Në këtë zonë, rreth 100 banesa vijojnë të kenë ujë në oborre dhe në brendësi të tyre, duke e bërë jetesën të vështirë për banorët.
Situatë e ngjashme paraqitet edhe në Shkozet, në lagjen 14, kryesisht në zonën e njohur si “NISH tulla”, ku uji ende nuk është larguar plotësisht nga disa rrugë dhe banesa.
Si pasojë e përmbytjeve, deri më tani janë evakuuar 18 familje me rreth 60 persona, të cilët janë sistemuar përkohësisht në dy shtëpi pushimi: një në administrim të Ministrisë së Brendshme dhe një tjetër të Ministrisë së Mbrojtjes.
Ekipet e Mbrojtjes Civile, zjarrfikëset dhe shërbimet e Ujësjellës-Kanalizimeve vijojnë punën në terren për largimin e ujit dhe rikthimin e normalitetit në zonat më problematike, ndërsa situata po monitorohet në mënyrë të vazhdueshme.
