Reshjet e dendura të shiut që kanë përfshirë orët e fundit jugun e vendit kanë sjellë rritje të ndjeshme të nivelit të lumit Vjosë, duke ngritur shqetësime serioze për zonat përgjatë shtratit të tij. Në pikën e Urës së Mifolit, niveli i ujit ka arritur rreth 5 metra, shifër që sinjalizon një situatë potencialisht të rrezikshme.
Sipas informacioneve nga terreni, reshjet kanë qenë të pandërprera për disa orë me radhë, jo vetëm në zonën e Përmetit, por në gjithë jugun e vendit. Përrenjtë dhe lumenjtë e vegjël që derdhen në Vjosë kanë shtuar prurjet, duke ndikuar drejtpërdrejt në fryrjen e saj.
Parashikimet flasin për vijim të shirave me intensitet të lartë edhe gjatë orëve në vijim, çka mund të sjellë rritje të mëtejshme të nivelit të lumit, sidomos gjatë orëve të para të ditës së nesërme. Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve të zonave të rrezikuara të tregojnë kujdes maksimal, të ndjekin njoftimet zyrtare dhe të marrin masa paraprake për të shmangur çdo rrezik të mundshëm.
Situata po monitorohet nga strukturat përgjegjëse, ndërsa pritet që orët në vijim të jenë vendimtare për ecurinë e nivelit të Vjosës.
