Një situatë alarmante është regjistruar në zonën e Nishtullës, ku një qytetar nga Kosova, së bashku me tre fëmijët e tij, ka mbetur i bllokuar në automjet si pasojë e përmbytjeve nga reshjet e dendura të shiut.
Familja ishte nisur nga Ndroqi, por rruga drejt Nishtullës është kthyer në të pakalueshme, për shkak të sasisë së madhe të ujit që ka mbuluar segmentin rrugor. Automjeti ka mbetur i ngecur në mes të rrugës, pa mundësi lëvizjeje, ndërsa situata ka krijuar panik dhe rrezik, veçanërisht për fëmijët.
Sipas pamjeve, uji ka pushtuar të gjithë rrugën, duke e kthyer atë në një kanal të improvizuar, ndërsa për nxjerrjen e automjetit po ndërhyhet me karrotrec. Përmbytjet janë pasojë e reshjeve intensive që kanë prekur zonën gjatë orëve të fundit.
Fatmirësisht, nuk raportohet për të lënduar, por rasti tregon edhe një herë rrezikun serioz që paraqesin rrugët e papërballuara nga infrastruktura në kushte moti ekstrem. Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të shmangin lëvizjet në akse të rrezikuara dhe të tregojnë kujdes maksimal.
