Qarku i Kukësit po përballet me kushte të vështira atmosferike si pasojë e reshjeve të dendura të shiut, të cilat kanë shkaktuar rënie gurësh dhe inertesh në disa segmente të akseve rrugore kombëtare.
Gjatë orëve të para të mëngjesit janë evidentuar problematika të përkohshme në qarkullim, pasi materiale të ndryshme kanë përfunduar në rrugë, duke rritur rrezikun për drejtuesit e mjeteve. Situata ka qenë më e ndjeshme në zonat malore, ku reshjet kanë ndikuar drejtpërdrejt në stabilitetin e terrenit.
Subjektet kontraktore kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë kohës në terren për pastrimin dhe mirëmbajtjen e rrugëve. Falë ndërhyrjeve të shpejta, të gjitha akset rrugore nacionale janë aktualisht të hapura dhe të qarkullueshme, megjithëse kërkohet kujdes i shtuar.
Sa i përket furnizimit me energji elektrike, situata paraqitet normale në pjesën më të madhe të qarkut. Përjashtim bëjnë 16 abonentë në Njësinë Administrative Tropojë e Vjetër, Bashkia Tropojë, ku vijon ndërprerja e energjisë.
Ndërkohë, furnizimi me ujë të pijshëm po kryhet sipas orareve të përcaktuara nga autoritetet përgjegjëse, pa raportime për probleme të tjera madhore.
Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes, veçanërisht në segmentet malore, dhe të ndjekin njoftimet zyrtare në vijim.
