Analisti Ilir Demalia, i ftuar në një studio televizive, ka deklaruar se kryeministri Edi Rama duhet të shkarkojë Belinda Ballukun nga posti i zëvendëskryeministres dhe t’i hapë rrugë përballjes së saj me drejtësinë.
Sipas Demalias, çështja e korrupsionit nuk është më për debat, ndërsa ai theksoi se edhe vetë kryeministri e ka pranuar ekzistencën e problemeve. Megjithatë, ai i cilësoi si të pabazuara dhe absurde pretendimet ekstreme se Balluku zotëron qindra apartamente apo ka përvetësuar dhjetëra miliona dollarë.
Demalia u shpreh se thelbi i problemit nuk është vetëm figura e Ballukut, por mënyra se si funksionon sistemi i drejtësisë. Ai theksoi se deri tani SPAK nuk ka ngritur një akuzë konkrete penale, por hetimi lidhet kryesisht me shkelje procedurash.
“Akuza e SPAK-ut është për shkelje proceduriale. Drejtësia nuk bëhet me nxitim dhe spektakël, por me ligj dhe qetësi”, u shpreh ai.
Sipas Demalias, Belinda Balluku nuk pritet të dorëzojë mandatin e deputetes, pasi imuniteti parlamentar i shërben si mburojë politike dhe juridike. Ai tha se mandati do të përdoret për të fituar kohë dhe për t’u mbrojtur gjatë procesit hetimor.
“Nuk besoj se do ta lëshojë mandatin. Do ta mbajë për t’u ballafaquar me drejtësinë dhe për të pasur kohë të mbrohet”, përfundoi Demalia.
