Presidentja e përkohshme e Venezuelës mbledh kabinetin, ngrihet komision për lirimin e Maduros

Data

Gjatë mbledhjes së parë të kabinetit qeveritar, presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delcy Rodríguez, njoftoi marrjen e masave urgjente për përballimin e krizës politike dhe institucionale në vend. Në fokus të vendimeve ishte krijimi i një komisioni të posaçëm të nivelit të lartë, me mision sigurimin e lirimit të Nicolas Maduro dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, të cilët ndodhen në paraburgim në Shtetet e Bashkuara dhe përballen me akuza të rënda penale.

Sipas mediave shtetërore venezueliane, komisioni do të përbëhet nga Presidenti i Asamblesë Kombëtare Jorge Rodríguez, Ministri i Jashtëm Yvan Gil, Ministri i Komunikimit Freddy Ñáñez dhe Zëvendësministrja për Komunikimet Ndërkombëtare Camilla Fabri. Ky grup do të ketë për detyrë koordinimin e veprimeve diplomatike dhe ligjore në nivel ndërkombëtar për lirimin e ish-presidentit dhe bashkëshortes së tij.

Gjatë mbledhjes, ministri i Komunikimit Freddy Ñáñez deklaroi se kërkesat për lirimin e Maduro-s dhe Flores kanë marrë përmasa globale, duke u shndërruar, sipas tij, në “një britmë që dëgjohet në rrugët e Evropës, Amerikës, Azisë dhe edhe brenda vetë Shteteve të Bashkuara”. Ai theksoi se gjatë takimit të fundit të vendeve të Amerikës Latine dhe Karaibeve, shumica e shteteve kanë dënuar veprimin amerikan, duke e cilësuar si shkelje të rëndë të imunitetit diplomatik.

“Nuk mund të lejojmë që një ngjarje kaq e rëndë të krijojë precedent. Një veprim i tillë do të ishte destabilizues jo vetëm për rajonin tonë, por për gjithë rendin ndërkombëtar”, u shpreh Ñáñez.

Autoritetet venezueliane kanë paralajmëruar se do të intensifikojnë përpjekjet diplomatike dhe ndërkombëtare në ditët në vijim, duke e konsideruar çështjen e lirimit të Maduros si prioritet kombëtar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related