Deputetja dhe zëvendëspresidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka akuzuar qeverinë se po qeveris për interesat e një pakice, ndërsa shumica e qytetarëve po përballen me vështirësi të rënda ekonomike.
Sipas saj, çmimet e ushqimeve bazë po rriten në mënyrë të papërballueshme, ndërkohë që pagat dhe pensionet kanë mbetur të pandryshuara. Familjet shqiptare, thekson Xhixho, janë të detyruara të llogarisin çdo lek për nevojat minimale, ndërsa pensionistët përballen çdo ditë me zgjedhje të dhimbshme mes ushqimit, ilaçeve dhe ngrohjes.
Ajo nënvizon se ushqimet bazë në Shqipëri kushtojnë më shtrenjtë se në shumë vende të Europës, pavarësisht se pagat dhe pensionet janë ndër më të ulëtat në rajon.
Në të njëjtën kohë, Xhixho akuzon qeverinë për shpenzime luksoze dhe abuzim me fondet publike. Sipas saj, vetëm shpenzimet për verë të kryeministrit kapin shifra dhjetëra mijëra euro, ndërsa projekte estetike në Kryeministri kanë kushtuar miliona euro. Ajo përmendi edhe udhëtimet charter të kryeministrit, që sipas saj arrijnë shifra miliona euro.
Deputetja shtoi se, ndërsa qytetarët varfërohen, shteti mbledh gjithnjë e më shumë të ardhura nga rritja e çmimeve, por këto para nuk u kthehen qytetarëve në shërbime apo mbështetje sociale. Sipas saj, fondet përfundojnë tek oligarkët dhe klientët e qeverisë.
Xhixho përmendi gjithashtu disa projekte infrastrukturore, të cilat i cilësoi si afera financiare, duke theksuar se qindra milionë euro janë shpenzuar pa përmirësuar jetën e qytetarëve.
“Paratë ekzistojnë, por nuk shkojnë për mirëqenien e qytetarëve. Ato përdoren për të pasuruar këtë qeveri dhe rrethin e saj. Kjo qeveri punon për një grusht njerëzish, jo për qytetarët që mezi mbyllin muajin”, përfundon ajo.
