Shtetet e Bashkuara kanë dërguar një mesazh të qartë dhe të drejtpërdrejtë drejt Venezuelës: çdo formë bashkëpunimi do të varet nga mbrojtja e interesave amerikane, përfshirë edhe mbajtjen në fuqi të embargos së naftës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Uashingtoni është i gatshëm të punojë me autoritetet aktuale në Venezuelë vetëm nëse ato marrin “vendimet e duhura”. Në të kundërt, SHBA do të vazhdojë të përdorë të gjithë mekanizmat e saj të presionit për të mbrojtur interesat strategjike amerikane.
“Nëse nuk merren vendimet e duhura, SHBA do të ruajë shumë mekanizma ndikimi, përfshirë embargon e naftës. Veprimet e tyre do të gjykohen në vijimësi”, u shpreh Rubio.
Deklarata vjen vetëm një ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump kishte lënë të hapur edhe mundësinë e ndërhyrjes ushtarake, duke thënë se SHBA nuk përjashton asnjë opsion. Rubio, megjithatë, u përpoq të zbusë tonet, duke theksuar se aktualisht fokusi kryesor i administratës amerikane është embargoja e naftës, e cila sipas tij përbën një mjet të fuqishëm ndikimi politik dhe ekonomik.
Kush e drejton Venezuelën tani?
Sipas Kushtetutës së Venezuelës, në mungesë të presidentit Nicolas Maduro, drejtimin e shtetit e merr zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez. Gjykata e Lartë i ka dhënë asaj autorizimin për të ushtruar këtë rol.
Rubio deklaroi se SHBA do të vëzhgojë me kujdes veprimet e saj dhe të drejtuesve të tjerë që mbeten në pushtet, për të vlerësuar nëse do të ketë hapësirë për bashkëpunim apo jo.
Ai theksoi se problemi kryesor me drejtimin e mëparshëm ishte mungesa e besueshmërisë dhe mosrespektimi i marrëveshjeve.
Sa i përket mbështetjes për opozitën venezueliane, Rubio shmangu një pozicion të qartë, duke theksuar se SHBA nuk synon të ndërhyjë drejtpërdrejt në proceset e brendshme politike të vendeve të tjera.
“Venezuela nuk është Libia, Iraku apo Afganistani. Misioni ynë është tjetër. Ne po përballemi me një kërcënim real ndaj interesave amerikane”, përfundoi ai.
Në thelb, mesazhi i Uashingtonit është i prerë: pa ndryshim kursi dhe pa garanci për interesat amerikane, presioni ndaj Venezuelës nuk do të ndalet.
