Ministria e Punëve të Jashtme të Rusisë ka reaguar pas njoftimit të Shteteve të Bashkuara për arrestimin dhe largimin nga vendi të presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortes së tij.
Në një deklaratë zyrtare, Moska shpreh shqetësim të thellë për zhvillimet e fundit dhe kërkon sqarim të menjëhershëm mbi atë që po ndodh në Venezuelë.
“Jemi jashtëzakonisht të shqetësuar nga raportimet se presidenti Maduro dhe bashkëshortja e tij janë larguar me forcë nga vendi gjatë veprimeve agresive të SHBA-së”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Jashtme ruse.
Rusia thekson se, nëse këto raportime rezultojnë të vërteta, bëhet fjalë për një shkelje të rëndë dhe të papranueshme të sovranitetit të një shteti të pavarur, duke rikujtuar se respektimi i sovranitetit është një parim themelor i së drejtës ndërkombëtare.
Më herët, Moska kishte dënuar ashpër atë që e cilësoi si një “akt të armatosur agresioni” ndaj Venezuelës nga ana e SHBA-së, duke deklaruar se çdo përpjekje për të justifikuar këto veprime është e papranueshme.
