Nicolás Maduro u arrestua nga SHBA, kush do ta udhëheqë Venezuelën? Ja skenarët që përfliten

Data

Lajmi për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pas goditjeve të Shteteve të Bashkuara në Karakas, shënon një moment historik në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Amerikës Latine.

Në analizën e saj, BBC përpiqet të deshifrojë se çfarë mund të ndodhë në Venezuelë pas këtij zhvillimi dramatik. Media britanike thekson se SHBA nuk kanë ndërmarrë një ndërhyrje kaq të drejtpërdrejtë në rajon që nga viti 1989, kur pushtuan Panamanë për të rrëzuar udhëheqësin ushtarak të asaj kohe, Manuel Noriega.

Largimi i Maduro-s nga Venezuela, siç pretendohet nga administrata amerikane, pritet të perceptohet si një fitore e madhe për krahun më të ashpër brenda Uashingtonit, i cili prej vitesh ka mbështetur hapur nevojën për ndryshim regjimi në Karakas.

Shtetet e Bashkuara e akuzojnë Nicolás Maduro-n se qëndron në krye të një organizate kriminale të trafikut të drogës, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht. Uashingtoni nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës, duke argumentuar se zgjedhjet e vitit 2024 nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.

Nga ana tjetër, autoritetet venezueliane kanë akuzuar vazhdimisht SHBA-në se synon të marrë kontrollin e rezervave të mëdha të naftës së vendit, të cilat konsiderohen ndër më të mëdhatë në botë.

Çfarë pritet të ndodhë në Venezuelë?

E ardhmja politike e Venezuelës mbetet ende e paqartë. Mbështetësit e ndërhyrjes amerikane pretendojnë se kjo situatë do t’i hapë rrugën opozitës për të marrë pushtetin. Ndër emrat që përfliten si alternativa për drejtimin e vendit janë figura të njohura të opozitës, përfshirë María Corina Machado dhe kandidatin opozitar të zgjedhjeve të vitit 2024, Edmundo González.

Megjithatë, shumë analistë paralajmërojnë se skenari i tranzicionit nuk do të jetë i thjeshtë. Ushtria dhe grupet paramilitare në Venezuelë kanë qenë tradicionalisht besnike ndaj Maduro-s, ndërsa edhe disa kritikë të tij shprehin shqetësimin se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë amerikane mund të çojë në destabilizim të mëtejshëm të vendit.

Është e sigurt se pas arrestimit të Maduro-s, shumë prej aleatëve të tij më të afërt ndodhen tashmë nën presion të madh dhe të pasigurt për të ardhmen e tyre politike dhe personale, ndërsa Venezuela përballet me një nga momentet më vendimtare në historinë e saj moderne.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related