Të hënën, më 5 janar, Partia Demokratike do të zhvillojë tubimin e radhës në orën 18:00 para Kryeministrisë. Lajmi është bërë i ditur përmes një mesazhi të brendshëm drejtuar strukturave të PD-së.
Në të njëjtin njoftim theksohet se po atë ditë, në orën 09:30, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, do të paraqitet në Prokurorinë e Posaçme.
Ajo që bie në sy në këtë komunikim është fakti se për herë të parë Partia Demokratike i referohet Prokurorisë së Posaçme me emërtimin zyrtar “SPAK”, dhe jo me termin ironik “SKAP”, siç është përdorur më herët shpesh nga drejtues të saj, përfshirë edhe vetë Berishën.
Mesazhi i plotë drejtuar strukturave të PD-së:
“Mirëdita dhe vit të mbarë, uroj t’i keni kaluar bukur festat.
Ju kujtoj të hënën, datë 05 janar, për tubimin në orën 18:00 para Kryeministrisë.
Po ashtu, të hënën në orën 09:30 Doktori do të jetë te SPAK.
Ju lutem merrni masa për të siguruar pjesëmarrjen.”
