Familjarët e Ali Avdollit, 82 vjeç nga Elbasani, po jetojnë ditë ankthi pasi i moshuari rezulton i zhdukur prej datës 31 dhjetor. Ai vuan nga demenca dhe prej disa ditësh nuk ka asnjë informacion mbi vendndodhjen e tij.
Sipas të afërmve, Ali Avdolli është parë për herë të fundit në zonën e Krrabës, pranë Çezmës së Kasinës. Që nga ai moment, familjarët kanë nisur kërkime të pandërprera, por deri tani nuk kanë arritur të gjejnë asnjë gjurmë.
Shqetësimi është shtuar edhe për faktin se i moshuari, në pamje të parë, duket i qetë dhe komunikon normalisht, gjë që mund të ketë bërë që persona të rastësishëm ta ndihmojnë ose ta marrin me automjet, pa kuptuar se ai vuan nga probleme të kujtesës.
Familjarët u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve që, nëse e kanë parë, e kanë takuar, e kanë marrë në makinë apo e kanë parë diku në fshat, qytet apo përgjatë rrugëve, të njoftojnë menjëherë për çdo informacion që mund të ndihmojë në gjetjen e tij.
Çdo detaj, sado i vogël, mund të jetë vendimtar për kthimin e tij pranë familjes.
