Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar daljen e tij të parë publike për vitin 2026, ku ka komentuar zhvillimet e fundit ndërkombëtare dhe situatën politike në Shqipëri.
Në fjalën e tij, Berisha u ndal te ngjarjet në Venezuelë pas ndërhyrjes së Shteteve të Bashkuara në Karakas dhe arrestimit të presidentit Nicolás Maduro, duke i cilësuar këto zhvillime si një sinjal të fortë për regjimet që mbahen në pushtet përmes krimit, drogës dhe manipulimit të zgjedhjeve.
Duke bërë një paralelizëm me Shqipërinë, Berisha akuzoi kryeministrin Edi Rama për sulm të hapur ndaj sistemit të drejtësisë, duke e quajtur atë “Ramaduro” dhe duke thënë se nuk është aspak i ndryshëm nga diktatori venezuelian.
Sipas Berishës, Rama ka pranuar publikisht vjedhjet ndaj qytetarëve shqiptarë, por i ka relativizuar ato, duke marrë në mbrojtje ministra dhe persona të afërt me të.
“Rama mori në mbrojtje ‘Lubi’ Ballukun dhe Lindën e AKSHI-t, për të cilën tha se kishte respekt maksimal. Njeriu që drejtoi arkat e familjes Rama nuk ka si të mos ketë respekt maksimal,” u shpreh Berisha.
Ai theksoi se zhvillimi më shqetësues është, sipas tij, përplasja e drejtpërdrejtë e kryeministrit me drejtësinë, duke deklaruar se Rama ka paralajmëruar se nuk do të zbatojë vendimet e prokurorisë dhe gjykatave që prekin rrethin e tij familjar dhe ministrat e qeverisë.
“Në këtë kontekst mbetet vetëm zëri i opozitës. Po shkohet drejt një grushti shteti. Fjalën e ka populli dhe vetëm populli,” deklaroi Berisha.
Në vijim të fjalës së tij, Berisha u shpreh se largimi i Maduros nga pushteti është një lajm i mirë për popullin e Venezuelës dhe për të gjithë njerëzit e lirë, por edhe një inkurajim për opozitën shqiptare që, sipas tij, ka për detyrë largimin sa më të shpejtë të një regjimi që qëndron mbi votën e grabitur, lidhjet me krimin dhe vjedhjen e pasurive publike.
Berisha përmendi gjithashtu protestat në Iran, duke shprehur shpresën që edhe atje regjimi aktual të përballet me fundin e tij politik.
