Boçi: Reforma territoriale e mazhorancës ka dështuar, u ndërtua për interesa politike

Data

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka reaguar ashpër lidhur me reformën territoriale, duke e cilësuar atë si një dështim të plotë dhe një projekt të ndërtuar mbi interesa politike të mazhorancës.

Gjatë një interviste, Boçi theksoi se nevoja për reformë territoriale lidhet drejtpërdrejt me problematikat e zgjedhjeve dhe me raportet ndërkombëtare, të cilat sipas tij kanë evidentuar bashkimin e partisë me shtetin dhe cenimin e standardeve demokratike.

Ai u shpreh se reforma territoriale e miratuar rreth një dekadë më parë nuk i ka shërbyer qytetarëve, por është ndërtuar për të ruajtur interesa elektorale dhe për të favorizuar zona të caktuara me peshë politike për mazhorancën.

Sipas Boçit, kjo reformë ka cenuar rëndë autonominë vendore, duke e larguar pushtetin lokal nga funksioni i tij kryesor: shërbimi ndaj qytetarëve dhe vendimmarrja e pavarur në nivel lokal.

“Reforma territoriale nuk u ndërtua për eficiencë apo shërbime më të mira, por si një reformë votash dhe interesash politike. Ajo ka dështuar totalisht dhe sot është e qartë se nuk ka prodhuar as zhvillim dhe as përmirësim të qeverisjes vendore”, u shpreh ai.

Boçi ngriti gjithashtu shqetësime mbi mënyrën se si po funksionon Komisioni i Reformës Territoriale, duke theksuar mungesën e konsensusit real mes mazhorancës dhe opozitës. Ai tha se ndonëse komisioni ka numër të barabartë anëtarësh, kjo nuk garanton vendimmarrje të drejtë dhe transparente.

Sipas tij, ndryshe nga Komisioni i Reformës Zgjedhore ku ekziston parimi i vetos, mungesa e këtij mekanizmi në reformën territoriale tregon një skenar të paramenduar nga mazhoranca.

“Nuk ka sinqeritet. Dy reforma të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën nuk mund të trajtohen me standarde të ndryshme. Kjo tregon qartë se mazhoranca ka një plan të parapërgatitur”, përfundoi Boçi.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related