Rama shkel kodin e etikës që miratoi vetë, mesazhet zbulojnë takimet me biznesmenë

Data

Kryeministri Edi Rama ka pranuar publikisht se ka shkelur kodin e etikës që vetë e miratoi për anëtarët e kabinetit qeveritar. Mesazhet e përfshira në dosjen e SPAK tregojnë se, në të njëjtën periudhë kur ndalonte publikisht ministrat të takoheshin me biznesmenë, ai vetë kërkonte nga zv/kryeministrja Belinda Balluku të zhvillonte takime me përfaqësues të biznesit.

Sipas dokumenteve hetimore, Rama i ka kërkuar Ballukut të takohej me biznesmenin Ramë Geci. Vetëm pak muaj pas këtij takimi, kompania e tij u shpall fituese e tenderit për ndërtimin e rrugës Porto Romano, ndonëse kishte paraqitur një ofertë disa milionë euro më të lartë se konkurrentët e tjerë.

Në konferencën e fundvitit me gazetarët, kryeministri u përpoq ta relativizonte këtë fakt, duke e paraqitur takimin si normal. Por ky qëndrim bie ndesh drejtpërdrejt me urdhrat dhe rregullat që ai vetë vendosi disa vite më parë.

Në vitin 2021, pas marrjes së mandatit të tretë, Rama miratoi Kodin e Etikës për anëtarët e Këshillit të Ministrave. Ky kod, i formalizuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2022, ndalon qartë takimet individuale të ministrave me biznesmenë pa kushte të rrepta transparence.

Në nenin 26, pika “dh”, thuhet se anëtari i Këshillit të Ministrave nuk duhet të zhvillojë takime me përfaqësues të biznesit apo grupeve të interesit pa praninë e dy funksionarëve të lartë, pa mbajtjen e procesverbalit, pa regjistrimin e identitetit të pjesëmarrësve dhe pa evidentimin e çështjeve të diskutuara në një regjistër zyrtar.

Dalja në dritë e mesazheve nga dosja e SPAK, të cilat lidhen me takime direkte mes ministrave dhe biznesmenëve që më pas përfituan tendera publikë, e ka vënë kryeministrin përballë një kontradikte të hapur me rregullat që ai vetë ka imponuar.

Përballë këtyre provave, Rama duket se tashmë po mohon ose relativizon vetë parimet që më herët i kishte paraqitur si standarde etike të qeverisjes së tij.

Ky episod përforcon perceptimin se kodi i etikës ka shërbyer më shumë si instrument propagandistik, sesa si një mekanizëm real kontrolli. Ndërkohë, sipas kritikëve, faktet e deritanishme tregojnë se në zyrën e kryeministrit janë zhvilluar takime jo vetëm me biznesmenë që kanë përfituar kontrata publike, por edhe me individë të lidhur me veprimtari kriminale.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related