Për ditën e premte, vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike të paqëndrueshme. Moti parashikohet me vranësira mesatare deri të dendura, ndërsa përgjatë ultësirës perëndimore, në pjesën e parë të ditës, do të ketë edhe intervale të shkurtra me diell.
Vranësirat do të shoqërohen me reshje shiu të herëpashershme dhe me intensitet të ulët në pjesën më të madhe të territorit. Në periudha të shkurtra kohore dhe në mënyrë lokale, reshjet mund të shfaqen në formë shtrëngatash. Në zonën veriperëndimore priten reshje me intensitet mesatar dhe lokalisht deri të lartë.
Në zonën e Alpeve, si dhe në relievet malore të lindjes dhe juglindjes, në lartësitë mbi 700–800 metra mbi nivelin e detit, parashikohen reshje dëbore me intensitet të ulët deri mesatar.
Era do të fryjë me drejtim juglindje–jugperëndim, me shpejtësi mesatare rreth 10 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe zonave luginore mund të arrijë deri në 18 m/s.
Deti do të ketë valëzim të forcës 4–5 ballë.
