Shqiptarët që jetojnë jashtë vendit janë kryesisht të rinj. Të dhënat më të fundit nga Cens Hub i Bashkimit Europian tregojnë se rreth 70% e emigrantëve shqiptarë në vendet e BE-së janë nën moshën 45 vjeç, duke konfirmuar se emigracioni po prek kryesisht moshat më aktive të shoqërisë.
Sipas statistikave, mbi 60% e emigrantëve shqiptarë janë në moshë pune aktive (15–49 vjeç), ndërsa grup-mosha 30–49 vjeç përbën rreth 40.7% të totalit. Ky raport është pothuajse i njëjtë si për meshkujt ashtu edhe për femrat, duke treguar se emigracioni nuk është më një fenomen i dominuar vetëm nga meshkujt, por ka marrë një karakter më familjar dhe të balancuar gjinor.
Në kontrast të fortë me këtë situatë, struktura e popullsisë që jeton në Shqipëri po plaket me ritme të shpejta. Brenda vendit, pesha e grup-moshave mbi 50 vjeç është rritur ndjeshëm vitet e fundit, ndërsa moshat e reja dhe ato në kulmin e produktivitetit ekonomik janë tkurrur vazhdimisht.
Ndërkohë, në emigracion, grup-moshat mbi 65 vjeç përbëjnë vetëm rreth 5%, ndërsa personat mbi 85 vjeç janë pothuajse të papërfillshëm, me vetëm 0.3%. Kjo tregon se emigracioni shqiptar është kryesisht emigracion i moshave të reja dhe të mesme, jo i pensionistëve.
Një tjetër tregues domethënës është prania e fëmijëve: rreth 19% e shqiptarëve në diasporë janë nën moshën 15 vjeç, çka sinjalizon se shumë familje janë vendosur përfundimisht jashtë vendit. Në të kundërt, në Shqipëri rënia e lindshmërisë ka ulur ndjeshëm peshën e fëmijëve në strukturën e popullsisë.
Nga këndvështrimi ekonomik dhe demografik, këto shifra tregojnë se Shqipëria ka “eksportuar” në mënyrë disproporcionale kapitalin njerëzor në moshë pune, duke lënë pas një popullsi gjithnjë e më të moshuar. Kjo rrit presionin mbi sistemin e pensioneve, shëndetësinë dhe financat publike.
Sipas të dhënave të Cens Hub, në dekadën e fundit emigrimi ka pasur këto përqindje gjinore: 56% meshkuj në Gjermani, 53% në Greqi dhe 51% në Itali. Në tërësi, shqiptarët që jetojnë në Europë rezultojnë të jenë më të rinj edhe në krahasim me strukturën e popullsisë së vendeve pritëse.
Migrimi i shqiptarëve nuk është një dukuri e re; ai dokumentohet që nga shekujt XV–XVI. Megjithatë, edhe sot vazhdon të mbetet një fenomen aktiv, me ndikime të thella demografike, sociale dhe ekonomike për Shqipërinë.
