Policia e Shtetit ka qenë në gatishmëri të plotë gjatë natës së ndërrimit të viteve, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike në të gjithë vendin. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, së bashku me drejtues të Policisë së Tiranës, zhvilluan takime dhe inspektime me shërbimet e Policisë Rrugore dhe Sallën e Komandimit.
Gjatë takimit me punonjësit e Policisë Rrugore, drejtori Proda u uroi Gëzuar Vitin e Ri dhe i falënderoi për përkushtimin dhe sakrificën e treguar në shërbim të qytetarëve, veçanërisht ata që kanë qenë në detyrë gjatë festimeve.
Ai theksoi se nuk do të ketë asnjë tolerancë për drejtimin e mjeteve nën efektin e alkoolit, duke nënvizuar se kontrollet kanë për qëllim parandalimin e aksidenteve dhe shpëtimin e jetëve. Proda kërkoi profesionalizëm, korrektësi, komunikim me etikë dhe kujdes maksimal për sigurinë personale dhe atë të kolegëve.
Në momentin e ndërrimit të viteve, Drejtori i Përgjithshëm inspektoi edhe Sallën e Komandimit të Policisë së Tiranës, ku vlerësoi rolin kyç të kësaj strukture në menaxhimin e situatave operative. Ai theksoi se çdo telefonatë dhe informacion duhet trajtuar me seriozitet maksimal, pasi reagimi i shpejtë dhe koordinimi i saktë me patrullat në terren janë vendimtarë për parandalimin e ngjarjeve.
Shërbimet e Policisë në të gjithë vendin vijojnë të jenë në gatishmëri të plotë, duke monitoruar qarkullimin rrugor, ambientet ku zhvillohen festime dhe gjithë territorin, me synimin për të garantuar siguri dhe qetësi publike gjatë ditëve të para të Vitit të Ri 2026.
