Arsida Demiri, 19-vjeçarja e plagosur rëndë në aksidentin tragjik të ndodhur në aksin rrugor Gjirokastër–Tepelenë, është transportuar gjatë orëve të para të mëngjesit drejt Spitalit të Traumës në Tiranë për trajtim më të specializuar.
Sipas burimeve mjekësore, e reja ndodhet aktualisht në Urgjencë, nën monitorim intensiv. Mjekët bëjnë me dije se gjendja e saj shëndetësore është e rëndë, por parametrat jetësorë janë momentalisht të qëndrueshëm.
Për shkak të politraumave të shumta që ka pësuar, 19-vjeçarja ende nuk konsiderohet jashtë rrezikut për jetën. Burimet theksojnë se gjendja e saj mund të ndryshojë në çdo moment, ndaj po vijojnë vlerësimet dhe konsultat e specializuara mjekësore. Është kërkuar gjithashtu konsultë urgjente me kardiologun dhe urologun.
Aksidenti i rëndë ndodhi gjatë ndërrimit të viteve dhe i mori jetën tre personave, ndërsa dy të tjerë mbetën të plagosur. Policia vijon hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të përplasjes fatale.
