Festimet e ndërrimit të viteve në Sarandë kanë vënë nën presion shërbimin e urgjencës spitalore, ku gjatë natës janë trajtuar gjithsej 55 persona, kryesisht për shkak të përdorimit të fishekzjarrëve dhe konsumimit të tepruar të alkoolit.
Sipas burimeve nga spitali, disa nga rastet kanë qenë të rënda dhe kanë kërkuar ndërhyrje kirurgjikale. Një 44-vjeçar, banor i Sarandës, ka pësuar dëmtime serioze në dorë pasi i kanë shpërthyer kapsolla, duke i dëmtuar tre gishta të dorës së djathtë. Po ashtu, një 32-vjeçare ka marrë ndihmë mjekësore për dëmtime në dy gishta të dorës së djathtë, si pasojë e fishekzjarrëve.
Mjekët bëjnë me dije se përveç plagosjeve nga mjetet piroteknike, një numër i konsiderueshëm i rasteve kanë qenë persona të dehur, të cilët kanë kërkuar ndihmë për gjendje të rënduara shëndetësore, trauma të lehta apo humbje ekuilibri.
Stafi mjekësor ka punuar në kushte të ngarkuara gjatë gjithë natës për të përballuar fluksin e lartë të pacientëve, ndërsa apelon për kujdes dhe përgjegjësi gjatë përdorimit të fishekzjarrëve dhe konsumit të alkoolit, sidomos në ambiente të hapura dhe pranë familjarëve.
Autoritetet shëndetësore theksojnë se raste të tilla janë të përsëritura çdo fundvit dhe kërkojnë më shumë ndërgjegjësim për të shmangur dëmtime që shpesh lënë pasoja afatgjata.
