Një incident sigurie është shënuar pranë Pallatit Kensington në Londër, rezidenca e Princit William dhe Kate Middleton, ku një burrë është arrestuar për hyrje të paautorizuar në territorin e mbrojtur të pallatit.
Sipas mediave britanike, ngjarja ka ndodhur gjatë periudhës së festave të Krishtlindjeve. I dyshuari dyshohet se ka hyrë në ambientet e pallatit në dy raste të ndara, më 21 dhe 23 dhjetor, duke shkelur masat e sigurisë në një zonë me rëndësi të veçantë.
Ai u pikas nga shërbimet e sigurisë gjatë patrullimeve rutinë dhe u ndalua nga Njësia Mbretërore e Mbrojtjes në bashkëpunim me Policinë Metropolitane. Në momentin e arrestimit, burri mbante me vete një çantë shpine të rëndë, çka rriti shqetësimin e autoriteteve.
Pas ndalimit, ai u akuzua zyrtarisht për shkelje të territorit të mbrojtur dhe u dërgua në gjykatë. Gjatë seancës gjyqësore, i dyshuari raportohet se ka shkaktuar trazira dhe ka refuzuar të marrë pjesë në një seancë të mëparshme, çka çoi në vendimin për mbajtjen e tij në paraburgim.
Autoritetet kanë konfirmuar se në momentin e incidentit, Princi William dhe Kate Middleton nuk ndodheshin në rezidencë. Megjithatë, ngjarja është trajtuar me seriozitet maksimal për shkak të rëndësisë së objektit dhe standardeve të larta të sigurisë që zbatohen në zonë.
