Një 29-vjeçar është arrestuar në flagrancë në qytetin e Laçit, pasi u kap në posedim të një arme zjarri automatike pa leje, gjatë një operacioni policor të zhvilluar në kuadër të masave të shtuara për sigurinë gjatë festave të fundvitit.
Sipas policisë, operacioni i koduar “Fokusi” u finalizua nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative. Si rezultat, u ndërhy në banesën e shtetasit S. K., 29 vjeç, në lagjen nr. 4 të Laçit.
Gjatë kontrollit në banesë, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan një armë zjarri automatike me krehër dhe fishekë, e cila mbahej pa leje, si dhe një palë doreza. Armët dhe municioni u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 29-vjeçari u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Materialet i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme hetimore.
Policia bën me dije se kontrollet dhe operacionet parandaluese do të vijojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim garantimin e rendit dhe sigurisë publike
