Një incident i rrezikshëm është regjistruar gjatë një feste korporative në një studio kulinarie në Moskë, ku një burrë 38-vjeçar përfundoi në spital pasi konsumoi një koktej të përgatitur me azot të lëngshëm.
Sipas raportimeve të mediave ruse, gjatë eventit një miksolog u përpoq të impresiononte të ftuarit duke përdorur azot të lëngshëm për të krijuar efekt vizual me mjegull gjatë përgatitjes së pijeve. Megjithatë, dyshohet se kokteji iu shërbye për konsum pa u avulluar plotësisht, ndërsa pjesëmarrësit nuk u paralajmëruan për rrezikun.
Në pamjet që qarkulluan në rrjetet sociale, burri shihet duke pirë pijen pothuajse menjëherë. Pak çaste më vonë, ai shfaq shqetësime të forta shëndetësore dhe rrëzohet, duke u transportuar me urgjencë në spital.
Mjekët konstatuan dëmtime serioze në stomak si pasojë e gëlltitjes së azotit të lëngshëm dhe pacienti iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale emergjente. Autoritetet shëndetësore kanë bërë të ditur se gjendja e tij është stabilizuar, ndërsa nuk janë dhënë detaje për pasojat afatgjata.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga organizatorët e aktivitetit apo nga miksologu i përfshirë në incident.
Ekspertët paralajmërojnë se azoti i lëngshëm, megjithëse përdoret në gastronominë molekulare për efekte vizuale dhe teknika speciale, është jashtëzakonisht i rrezikshëm për konsum direkt. Ushqimet dhe pijet e përgatitura me këtë substancë duhet të konsumohen vetëm pasi azoti të jetë avulluar plotësisht, pasi ndryshe mund të shkaktojë dëmtime të rënda në sistemin tretës.
Një rast i ngjashëm ishte raportuar më herët në Rusi, ku një grua e re u shtrua në spital me dëmtime në ezofag pas konsumimit të një pijeje të përgatitur me azot të lëngshëm.
