Festimet e Vitit të Ri në qytetin italian të Torinos u shndërruan në kaos, pasi një demonstratë e organizuar nga aktivistë të qendrës sociale Askatasuna degjeneroi në përleshje me forcat e rendit.
Ngjarja nisi si një aktivitet festiv i quajtur “Parada e Rrugës”, ku morën pjesë rreth dy mijë persona. Demonstrata u shoqërua me muzikë dhe fishekzjarre, por situata doli jashtë kontrollit kur grupe protestuesish hodhën kapsolla dhe fishekzjarre drejt policisë.
Forcat e rendit ndërhynë duke përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji për të shpërndarë turmën. Sipas informacioneve paraprake, disa efektivë të karabinierisë mbetën të plagosur gjatë përplasjeve.
Mbrëmja kishte nisur më herët me një koncert në sheshin Piazza Vittorio Veneto dhe u pasua nga një procesion muzikor nëpër rrugët e lagjes Vanchiglia, zonë ku ndodhej deri pak javë më parë qendra sociale Askatasuna, e cila ishte dëbuar nga autoritetet.
Demonstruesit mbanin slogane kundër institucioneve dhe paralajmëronin vazhdimin e protestave gjatë vitit të ri. Parada përfundoi pranë Kampusit Einaudi, ku një pjesë e pjesëmarrësve tentuan të vazhdonin festimet me muzikë dhe vallëzim, nën praninë e forcave të shumta të policisë.
