Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, e cila ka caktuar masën e sigurimit personal me karakter ndalues “pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” ndaj një punonjësi policie në Vlorë.
Punonjësi, me detyrë specialist hetimi në Seksionin kundër Trafiqeve pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, dyshohet për kryerjen e veprës penale “shpërdorim i detyrës”.
Sipas AMP-së, masa e sigurisë është vendosur pasi punonjësi i policisë nuk ka përmbushur detyrat funksionale gjatë kryerjes së veprimeve procedurale në lidhje me një procedim penal të vitit 2024.
Agjencia e Mbikëqyrjes Policore thekson se mbetet e përkushtuar në garantimin e zbatimit të ligjit dhe u bën thirrje qytetarëve të denoncojnë çdo rast abuzimi apo shkeljeje nga punonjësit e strukturave të rendit.
