Viti 2026 ka mbërritur fillimisht në Paqësor, ku shteti ishullor i Kiribatit u bë i pari në botë që përshëndeti Vitin e Ri. Ishulli Kiritimati, i njohur ndryshe si Ishulli i Krishtlindjes, shënoi mesnatën para çdo vendi tjetër, duke hapur zyrtarisht festimet globale.
Kiritimati është ishulli më i madh i Kiribatit dhe ka mbi 7 mijë banorë. Megjithëse sot njihet si vendi i parë që hyn në Vitin e Ri, dikur ishte ndër territoret e fundit që e festonin këtë moment.
Situata ndryshoi në vitin 1994, kur autoritetet e Kiribatit vendosën të zhvendosin vijën ndërkombëtare të datës, duke e çuar vendin një ditë të plotë përpara. Vendimi u mor për arsye ekonomike dhe turistike, me synimin për ta kthyer Kiribatin në destinacionin simbolik të nisjes së Vitit të Ri.
Që prej asaj kohe, Kiritimati është bërë një pikë referimi globale çdo 31 dhjetor, duke tërhequr vëmendjen e mediave ndërkombëtare dhe duke mbajtur titullin e shtetit që mirëpret i pari Vitin e Ri në botë.
Ndërsa ora vijon të ecë drejt perëndimit, festimet për Vitin e Ri 2026 do të përhapen gradualisht në të gjithë globin, duke nisur nga Paqësori drejt Evropës dhe më pas kontinentit amerikan.
