Pensionistët shqiptarë vijojnë të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike, në një kohë kur pensionet mbeten ndër më të ulëtat në Europë, ndërsa kostoja e jetesës është në nivele të krahasueshme me vendet e Bashkimit Europian. Çmimet e ushqimeve dhe shpenzimet bazë rëndojnë ndjeshëm buxhetin e të moshuarve, duke ulur ndjeshëm standardin e jetesës.
Ekspertët theksojnë se sistemi i pensioneve përballet me presione strukturore, pasi raporti mes kontribuuesve dhe pensionistëve është ngushtuar ndjeshëm ndër vite. Nga disa punëtorë që mbështesnin një pensionist dekada më parë, sot ky raport është reduktuar ndjeshëm, duke e bërë sistemin gjithnjë e më të brishtë.
Në këtë kontekst, qeveria ka paralajmëruar rritje të pensioneve duke nisur nga janari 2026, përtej indeksimit të zakonshëm që lidhet me inflacionin. Sipas planit të bërë publik, rritja do të jetë graduale dhe e përsëritur në vitet pasuese.
Nga janari 2026:
•Pensioni urban me vite të plota pune do të rritet me 18 mijë lekë të vjetra në muaj
•Pensioni urban i pjesshëm do të rritet me 8 mijë lekë në muaj
•Pensioni rural do të rritet me 1 mijë lekë në muaj
•Pensioni familjar do të rritet me 700 lekë në muaj
•Pensioni i invaliditetit do të rritet me 600 lekë në muaj
Sipas planifikimit afatmesëm, kjo rritje do të dyfishohet në vitin 2027, të trefishohet në 2028 dhe të katërfishohet në vitin 2029, duke synuar një përmirësim gradual të të ardhurave të pensionistëve.
Megjithatë, sfida mbetet e madhe. Pa reforma të thella dhe një strategji afatgjatë që të balancojë rritjen e pensioneve me kostot reale të jetesës dhe qëndrueshmërinë financiare të sistemit, hendeku mes nevojave të pensionistëve dhe të ardhurave të tyre rrezikon të thellohet edhe më tej në vitet që vijnë.
