Autoritetet holandeze kanë arrestuar një 29-vjeçar me origjinë siriane, i cili dyshohet se po përgatiste një sulm në territorin europian në prag të ndërrimit të viteve. Arrestimi u krye pas analizimit të aktivitetit të tij në rrjetet sociale, ku ishin evidentuar mesazhe kërcënuese.
Sipas hetuesve, i riu dyshohet për lidhje me një organizatë terroriste, ndërsa sinjalet e rrezikut u identifikuan nga shërbimet e inteligjencës, të cilat konstatuan postime që flisnin për një sulm të mundshëm në një zonë të papërcaktuar të Europës gjatë periudhës së fundvitit.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje konkrete mbi objektivin apo mënyrën e sulmit të planifikuar, duke theksuar se hetimet janë ende në fazë të hershme dhe po vijojnë intensivisht.
29-vjeçari u arrestua në banesën e tij në Fissingen, në jugperëndim të Holandës. Me vendim gjykate, ai është lënë në paraburgim për të paktën 30 ditë, ndërsa autoritetet po punojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe rrezikun e mundshëm që paraqiste.
Ngjarja ka rritur ndjeshëm vigjilencën e strukturave të sigurisë në Europë, veçanërisht në ditët e fundit të vitit, kur masat parandaluese janë në nivel maksimal.
