Në kuadër të planit të posaçëm operacional për ndalimin e tregtimit të kundërligjshëm të lëndëve piroteknike, policia ka evidentuar tre raste shkeljesh në qytetin e Peshkopisë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara në prag të festave të fundvitit, janë konstatuar tre dyqane ku mbaheshin fishekzjarre dhe kapsolla në kundërshtim me rregullat dhe kriteret e përcaktuara me ligj. Këto lëndë dyshohet se ishin destinuar për shitje të paligjshme.
Si rezultat i veprimeve procedurale, materialet u referuan në prokurori dhe ndaj tre pronarëve të bizneseve u nis procedim penal, pasi në ambientet e tyre u gjetën sasi të konsiderueshme lëndësh piroteknike të rrezikshme.
Autoritetet bëjnë me dije se kontrollet do të vijojnë në të gjithë territorin, me qëllim parandalimin e rreziqeve për jetën dhe shëndetin e qytetarëve, veçanërisht gjatë festimeve të fundvitit.
Policia apelon për respektimin e rregullave dhe ligjit, duke u kërkuar qytetarëve dhe subjekteve tregtare të mos posedojnë dhe të mos tregtojnë fishekzjarre dhe kapsolla në mënyrë të paligjshme, pasi këto veprime ndëshkohen sipas legjislacionit në fuqi.
