Bandat e specializuara në vjedhjen e bakrit kanë rikthyer sulmet në infrastrukturën hekurudhore në Itali. Këtë herë, shënjestër u bë stacioni i trenit në Via Monterumici, në Treviso, ku policia ndërhyri në kohë duke kapur autorët në flagrancë.
Gjatë natës, pas një raportimi për vjedhje në zhvillim, patrullat e policisë mbërritën në zonë dhe konstatuan disa persona që po largoheshin me shpejtësi. Pas një ndjekjeje të shkurtër, tre persona u kapën dhe u shoqëruan në komisariat. Të tre rezultuan shtetas shqiptarë, pa vendbanim të fiksuar, dhe u arrestuan menjëherë.
Nga depoja e stacionit ishin vjedhur 52 bobina kabllo elektrike prej alumini dhe bakri, me diametër rreth 2 cm. Mallrat e vjedhura u gjetën rreth 150 metra larg vendngjarjes dhe u sekuestruan nga policia. Në zonë u zbuluan gjithashtu mjete të shumta për thyerje, të përdorura për prerjen e gardhit metalik dhe hyrjen në ambientet e depos.
Gjatë kontrolleve, oficerët konstatuan edhe një automjet të parkuar pranë magazinës, brenda të cilit ndodhej një tjetër shtetas shqiptar. Për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen e tij në ngjarje, ai u shoqërua dhe më pas u procedua penalisht si bashkëpunëtor.
Sipas autoriteteve italiane, dy nga tre të arrestuarit kanë precedentë të shumtë penalë, përfshirë edhe vepra kundër personit. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse grupi është pjesë e një rrjeti më të gjerë kriminal që vepron në disa zona të Italisë.
