Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish lidhur me çështjen e mandatit të Belinda Ballukut dhe materialet e dorëzuara nga SPAK në Kuvend, duke mohuar kategorikisht se provat janë tërhequr apo konsultuar nga deputetë të Partisë Socialiste.
Gjatë deklarimeve të tij, Rama theksoi se USB-ja me materialet hetimore të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme nuk është marrë nga asnjë deputet i PS-së, madje as nga vetë Balluku apo avokatët e saj. Sipas tij, kjo është bërë qëllimisht për të shmangur çdo dyshim apo insinuatë se provat janë nxjerrë apo manipuluar politikisht.
“Kjo USB nuk e ka tërhequr asnjë deputet dhe as ministrja apo avokati i saj, pikërisht për të mos krijuar asnjë shteg aludimi se provat janë përdorur apo nxjerrë nga ne”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë sqaroi se çështja e Ballukut, përpara se të shkonte në Kuvend, është futur më parë në territorin e pushtetit ekzekutiv, duke iu referuar kërkesës për pezullim nga detyra. Sipas tij, ky veprim është i paprecedentë dhe ka detyruar mazhorancën që të mbajë një qëndrim institucional, duke e çuar çështjen për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese.
Rama nënvizoi se edhe në rastin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit, mazhoranca do të mbajë një qëndrim të argumentuar politik dhe institucional, duke theksuar se Parlamenti nuk është noter i drejtësisë, por ka përgjegjësi kushtetuese për të shqyrtuar çdo rast.
Deklaratat e Ramës vijnë në një klimë të tensionuar politike, ku dosja “Balluku” dhe raportet mes mazhorancës, SPAK dhe Kuvendit janë kthyer në një nga temat më të nxehta të fundvitit.
