Emra të mëdhenj në prag prangash / SPAK gati “listën e zezë”, politikanët dhe zyrtarët në rrezik arresti në 2026

Data

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po hyn në një fazë vendimtare të hetimeve, të cilat pritet të sjellin arrestime të bujshme në nivelet më të larta të pushtetit gjatë vitit 2026. Dosje të konsideruara si ndër më të ndjeshmet janë drejt përfundimit dhe fletë-arrestet cilësohen tashmë çështje kohe.

Ish-ministrja e Bujqësisë e para në radhë

Në krye të hetimeve ndodhet ish-ministrja e Bujqësisë, për të cilën hetimet e nisura nga OLAF dhe të ndjekura nga SPAK janë në fazën përfundimtare. Skandali i fondeve bujqësore çoi në pezullimin e mbështetjes evropiane për Shqipërinë dhe pritet të shoqërohet me arrestime të shumta të zyrtarëve të përfshirë.

Afera në ushtri dhe shëndetësi

Burime pranë hetimit flasin për zhvillime të forta edhe në dosjet që lidhen me ushtrinë, ku përmenden ish-ministra, biznesmenë të fuqishëm dhe gjeneralë. Në rrezik është edhe ish-ministrja e Shëndetësisë, për të cilën SPAK po heton disa afera që kapin vlera qindra milionë euro, nga pajisje mjekësore deri te tenderë dhe ilaçe.

Inceneratorët dhe Kryeministria

Hetimet për inceneratorët kanë hyrë në një fazë të re. Në fokus është Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, i konsideruar hallkë kyçe në procedurat institucionale të kësaj afere që ka rënduar rëndë buxhetin e shtetit me qindra miliona euro.

Zv/kryeministrja dhe infrastruktura

Në “fije të perit” ndodhet edhe zv/kryeministrja, pas kontrolleve të shumta të kryera nga Byroja Kombëtare e Hetimit në institucione shtetërore dhe kompani ndërtimi. Në këtë rreth përmendet edhe administratori i OSHEE-së, për të cilin po verifikohen procedura dhe vendimmarrje financiare.

Ish-ministra, përgjime dhe policia

SPAK po i afrohet fundit edhe hetimeve pasurore ndaj një ish-ministri të Infrastrukturës, si dhe dosjeve që burojnë nga përgjimet “Sky”, ku dhjetëra punonjës policie dyshohet se kanë bashkëpunuar me grupe kriminale, duke favorizuar veprimtari të rënda, përfshirë vrasje dhe trafik.

Një tjetër dosje e rëndë përfshin Ministrin e Brendshëm, e cilësuar nga burime pranë hetimit si një nga dosjet më tronditëse që pritet të dalë në dritë.

Porti i Durrësit

Në qendër të hetimeve është edhe ministri aktual i Mbrojtjes, për kontratën e terminalit të kontejnerëve në Portin e Durrësit, e nënshkruar në kohën kur ai drejtonte Autoritetin Portual. Janë sekuestruar dokumente dhe pajisje elektronike.

Gërdeci dhe 21 Janari

Dosja e Gërdecit mbetet një nga plagët më të rënda të drejtësisë shqiptare. I rrezikuar është ish-ministri i Mbrojtjes, ndërsa burime flasin edhe për marrjen si të pandehur të djalit të ish-kryeministrit, i përmendur shpesh në këtë aferë.

Paralelisht, hetimet për 21 Janarin po përshpejtohen pas vendimit të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, me fokus përgjegjësinë shtetërore dhe figurat kryesore të asaj kohe.

Lista mbetet e hapur

Në radarët e SPAK janë edhe figura të tjera të njohura të politikës shqiptare, përfshirë ish-presidentë, ish-kryetarë bashkish dhe bashkëpunëtorë të tyre. Burime pranë Prokurorisë së Posaçme flasin për presione të forta, kërcënime dhe tensione, por edhe për mbështetje të qartë ndërkombëtare.

Sinjali është i qartë: viti 2026 pritet të jetë viti i goditjeve më të forta ndaj korrupsionit në historinë e tranzicionit shqiptar.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related