Vlora 5 ditë pa ujë, Rama tallet me qytetarët dhe ia faturon krizën qeverisjes së PD-së: “Plasi syri i keq”

Data

Pas pesë ditësh pa ujë të pijshëm në Vlorë dhe mes protestash të qytetarëve të revoltuar, kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale me një deklaratë që ka ngjallur reagime të forta, duke u perceptuar nga shumëkush si tallëse dhe justifikuese.

Në reagimin e tij, Rama gjen fajtorë në të shkuarën, duke ia atribuar avarinë e rëndë një pajisjeje hidraulike të instaluar në vitet 2009–2010, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Sipas tij, këto pjesë “jashtë standardeve” nuk e kanë përballuar më presionin e ujit, duke shkaktuar shpërthimin e tubacionit kryesor.

Ndërsa mijëra familje në Vlorë janë përballur me mungesë totale të ujit për ditë me radhë, kryeministri e ka trajtuar situatën me tone ironike, duke e cilësuar krizën si “plasje të syrit të keq”, një shprehje që ka shtuar zemërimin e qytetarëve.

Rama thekson se pjesët e reja hidraulike janë transportuar nga Stambolli dhe vlerëson punën e punonjësve të ujësjellësit, duke e cilësuar defektin si “një plagë të hapur në trupin e Vlorës”, të shkaktuar nga “një minë e vjetër nga një kohë e zezë për qytetin”.

“Vlonjatëve të mi u them ndjesë për këtë peripeci të pamerituar dhe siç thoshin gjyshet tona, plasi më në fund edhe syri i keq pas gjithë këtyre viteve të mira për Vlorën”, shkruan Rama në reagimin e tij.

Deklarata e kryeministrit ka shkaktuar reagime të forta në opinionin publik dhe politik, ku opozita dhe qytetarët e konsiderojnë të papranueshme që pas 13 vitesh qeverisje, përgjegjësia për një krizë bazike si uji i pijshëm t’i faturohet ende qeverive të mëparshme.

Kriza e ujit në Vlorë ka nxjerrë në pah jo vetëm problematikat infrastrukturore, por edhe përplasjen politike mbi përgjegjësinë reale për shërbimet bazë ndaj qytetarëve.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related