Vetëm pak ditë pas triumfit të tij në ring, boksieri i njohur Anthony Joshua është përfshirë në një aksident të rëndë automobilistik në Nigeri, ku për pasojë kanë humbur jetën dy persona.
Ngjarja ka ndodhur paraditen e së hënës, rreth orës 11:00, në autostradën Lagos–Ibadan, në zonën Makun. Automjeti ku udhëtonte Joshua është përplasur me një kamion, duke shkaktuar dëme të mëdha dhe pasoja fatale.
Në pamjet e publikuara në rrjetet sociale, boksieri shihet i tronditur pranë automjetit të dëmtuar rëndë, mes xhamave të thyer. Më pas, ai shfaqet i ulur në një mjet emergjence duke komunikuar me autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, në automjet ndodheshin katër persona. Joshua ishte ulur në sediljen e pasme, pas shoferit, së bashku me një pasagjer tjetër. Dy persona humbën jetën në vendngjarje, ndërsa boksieri ka pësuar vetëm lëndime të lehta dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autoritetet lokale kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e aksidentit tragjik.
