Ditën e sotme vendi ynë do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta, duke sjellë mot kryesisht të qëndrueshëm, por me temperatura të ulëta.
Parashikohet mot kryesisht i kthjellët, me alternime vranësirash mesatare deri në momente të dendura, të përqendruara kryesisht në zonat malore të lindjes, veçanërisht pas orëve të mesditës.
Reshje të dobëta dhe lokale shiu priten në lindje të territorit dhe përgjatë vijës bregdetare gjatë mesditës dhe pasditeve. Ndërkohë, në relievet malore të verilindjes, lindjes dhe juglindjes do të ketë reshje të dobëta bore, kryesisht në formën e flokëve të borës.
Në akset rrugore të zonave malore parashikohet prezencë ngricash, ndaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar.
Era do të fryjë nga kuadrati i veriut me shpejtësi mesatare rreth 4 m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore herë pas here do të arrijë shpejtësi deri në 10 m/s.
