Skandal në Vlorë: 4 ditë pa ujë, qytetarët detyrohen të mbushin bidona në det

Data

Prej katër ditësh, qyteti i Vlorës po përballet me një krizë serioze të furnizimit me ujë të pijshëm, pas një defekti të rëndë në linjën kryesore të ujësjellësit. Mijëra familje kanë mbetur pa ujë, ndërsa situata po përkeqësohet nga ora në orë.

Pamje shqetësuese janë regjistruar që në orët e para të mëngjesit, ku qytetarë janë parë duke mbushur bidona me ujë deti, të detyruar nga mungesa totale e furnizimit. Të tjerë kanë gjetur zgjidhje të improvizuara te burimet publike, por edhe aty radhët janë të gjata dhe sasia e ujit e pamjaftueshme.

Institucionet e rëndësisë së veçantë, përfshirë spitalin e qytetit, po furnizohen me ujë përmes autoboteve të zjarrfikësve, të cilat mbushen nga burimi “Uji i Ftohtë”. Megjithatë, kjo zgjidhje emergjente nuk mbulon nevojat e qytetit dhe konsiderohet vetëm provizore.

Kriza ka shkaktuar edhe tensione sociale. Gjatë fundjavës, qytetarët protestuan duke ndërhyrë në një mbrëmje gala të organizuar nga Bashkia e Vlorës. Protesta u shoqërua me përplasje me policinë dhe bllokimin e bulevardit “Ismail Qemali”, ndërsa kërkesa kryesore ishte rikthimi i menjëhershëm i furnizimit me ujë.

Sipas Ujësjellësit të Vlorës, janë bërë disa tentativa për riparimin e defektit, por presioni i lartë në linjën kryesore ka shkaktuar çarje të përsëritura në pikat e saldimit, duke e bërë të pamundur rikthimin e furnizimit normal. Edhe ndërhyrjet e fundit gjatë natës kanë dështuar.

Qytetarët ngrenë alarmin për rrezik shëndetësor dhe kërkojnë zgjidhje urgjente, ndërsa Vlora vazhdon të mbetet pa një nga shërbimet më bazike jetike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related