“Kur vjen uji?” Vlora në revoltë, qytetarët përballë bashkisë: Tre ditë pa ujë, situatë alarmante

Data

Qytetarët e Vlorës kanë dalë në protestë përballë Teatrit “Petro Marko”, duke kërkuar llogari për mungesën e ujit të pijshëm që prej tre ditësh ka paralizuar jetën në qytet. Pa furnizim të rregullt, shumë familje janë detyruar të mbushin ujë në burime publike, duke pritur në radhë të gjata, ndërsa disa kanë përdorur edhe ujë deti për nevoja minimale.

Sipas banorëve, edhe pse gjatë orëve të para të mëngjesit është ndërhyrë për riparimin e tubacionit kryesor, problemi është përsëritur për shkak të një çarje tjetër, duke e lënë qytetin sërish pa ujë. Si shenjë proteste, qytetarët kanë bllokuar hyrjen e teatrit dhe nuk kanë lejuar zhvillimin e mbrëmjes “Gala”, duke theksuar se nuk mund të ketë festë kur mungon një shërbim bazë si uji i pijshëm.

“Jemi në vitin 2025 dhe jemi pa ujë prej ditësh. Kjo është e papranueshme dhe një skandal i vërtetë”, u shpreh një nga protestuesit. Një tjetër qytetar kërkoi që drejtuesit vendorë dhe përfaqësuesit e qeverisë të dalin publikisht dhe të japin një afat të qartë: “Vlora po shkon drejt një krize shëndetësore. Duam të dimë saktësisht kur do vijë uji”.

Qytetarët kërkojnë përgjigje konkrete nga kryetarja e bashkisë dhe institucionet përgjegjëse, duke paralajmëruar se mungesa e zgjidhjes së menjëhershme mund të përshkallëzojë situatën. Protesta nxori në pah pakënaqësinë e thellë ndaj institucioneve lokale dhe kërkesën për ndërhyrje urgjente për garantimin e furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related