Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Itali, ku një futbollist 18-vjeçar është plagosur rëndë gjatë natës në Napoli dhe aktualisht po lufton për jetën në spital.
I riu, i cili më herët ka qenë pjesë e Sorrentos dhe aktualisht aktivizohet me skuadrën Angri në kampionatin Eccellenza, është sulmuar në zonën Chiaia teksa ndodhej pranë mjetit të tij së bashku me një mik. Sipas raportimeve nga mediat italiane, disa persona iu afruan dhe e goditën, duke i shkaktuar dëmtime serioze.
Futbollisti u transportua me urgjencë në spitalin San Paolo në Fuorigrotta, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale emergjente dhe aktualisht ndodhet në kujdes intensiv, nën monitorim të vazhdueshëm nga mjekët. Gjendja e tij shëndetësore paraqitet e rëndë dhe prognoza mbetet e rezervuar.
Policia italiane ka nisur menjëherë hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Sipas autoriteteve, disa të mitur janë paraqitur pranë organeve hetimore në lidhje me rastin, ku disa prej tyre janë arrestuar, ndërsa për të tjerë po vijojnë verifikimet. Motivet e sulmit ende nuk janë sqaruar plotësisht, ndërsa hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rrethanat dhe përgjegjësitë penale.
