Shkelje në lejet mjedisore, Prokuroria çon në gjyq drejtues dhe specialistë të Agjencisë Rajonale

Data

Prokuroria e Fierit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim drejtorin dhe disa specialistë të Agjencisë Rajonale të Mjedisit Fier/Vlorë/Gjirokastër, të akuzuar për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, të kryer në bashkëpunim.

Sipas organit të akuzës, është provuar se të pandehurit kanë vepruar dhe mosvepruar në kundërshtim me ligjin, duke mos përmbushur rregullisht detyrat e tyre funksionale, pavarësisht rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe auditimeve të brendshme të Ministrisë së Mjedisit.

Hetimet kanë zbuluar se drejtori dhe specialistët kanë miratuar ose refuzuar leje mjedisore të tipit “C” në shkelje të kritereve ligjore dhe nënligjore, pa kryer verifikime në terren dhe, në disa raste, edhe në mungesë të dokumentacionit të detyrueshëm. Po ashtu, është konstatuar aplikimi i standardeve të ndryshme në vendimmarrje, duke favorizuar disa subjekte dhe penalizuar të tjera pa bazë ligjore.

Një tjetër shkelje e evidentuar lidhet me faktin se një numër i konsiderueshëm subjektesh të pajisura me leje mjedisore nuk kanë dorëzuar raportet e detyrueshme të vetëmonitorimit, ndërkohë që agjencia nuk ka ndërmarrë masa për pezullimin apo revokimin e lejeve, siç parashikon ligji.

Prokuroria ka konstatuar gjithashtu mosvjeljen e tarifave vjetore të lejeve mjedisore për vitet 2017–2019, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm ekonomik mbi 3 milionë lekë.

Në përfundim të hetimeve, prokuroria ka ngritur akuzë dhe ka dërguar çështjen për gjykim ndaj ish-drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Mjedisit Fier, si dhe disa specialistëve të fushës së lejeve mjedisore, monitorimit dhe financës.

Prokuroria ka theksuar se mbetet e angazhuar për vendosjen para përgjegjësisë ligjore të çdo punonjësi shtetëror që shkel ligjin, duke rikujtuar se çdo person prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related