Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, Kreshnik Radoniçi, ka votuar i pari në zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe pas votimit u ka bërë thirrje qytetarëve që të dalin dhe ta shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës.
Ai ka deklaruar para mediave se, pavarësisht kohës së shkurtër dhe sfidave organizative, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme dhe procesi zgjedhor është gati nga ana e KQZ-së.
Radoniçi ka theksuar se votimi në diasporë ka nisur një ditë më parë dhe ka vijuar i qetë, pa probleme. Ai ka shprehur shpresën që edhe dita e sotme të kalojë pa incidente dhe që procesi zgjedhor të zhvillohet normalisht në të gjithë vendin.
Sipas tij, pa përfshirë votuesit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, numri i qytetarëve që kanë votuar në diasporë ka kaluar mbi 15 mijë.
