Një shpërthim i fuqishëm i vullkanit Etna ka ndodhur më 27 dhjetor, duke hedhur në atmosferë sasi të mëdha hiri dhe tymi. Momente mbresëlënëse nga aktiviteti vullkanik janë filmuar nga skiatorët në Siçili, teksa llava dhe re të dendura hiri kanë dominuar qiellin e zonës.
Pas shpërthimit, shkencëtarët e Institutit Kombëtar të Gjeofizikës dhe Vulkanologjisë kanë lëshuar paralajmërimin e kuq për aviacionin, niveli më i lartë i alarmit. Megjithatë, autoritetet lokale kanë bërë të ditur se fluturimet në aeroportin e afërt do të vijojnë normalisht, për sa kohë që reshjet e hirit nuk shtohen.
Etna njihet si vullkani më i madh dhe më i lartë në Evropë, si dhe një nga më aktivët në botë. Për shkak të aktivitetit të shpeshtë, shpërthimet e tij regjistrohen disa herë gjatë vitit, duke e bërë atë një nga vullkanet më të monitoruara në nivel global.
