Skandali i tenderit të Porto Romanos – Si vartësi i Ballukut, Jonaid Myzyri, refuzoi ankesën e konsorciumit belgo-francez dhe hapi rrugën për fitoren e dyshimtë të kompanisë greke

Data

Dosja e tenderit për ndërtimin e Portit të Integruar të Durrësit në Porto Romano, me një vlerë rreth 400 milionë euro, është depozituar për hetim në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Referimi është bërë në formën e një kallëzimi penal dhe ngre dyshime serioze për shkelje të procedurave të prokurimit publik, favorizim të operatorëve të caktuar dhe konflikt interesi në një nga projektet më të mëdha infrastrukturore në vend.

Sipas kallëzimit, procedura e tenderit ka kaluar në një proces të pazakontë përqendrimi, ku shumica e kompanive ndërkombëtare më të fuqishme janë përjashtuar që në fazën e parakualifikimit. Konsorciume nga Kina, Belgjika, Franca, Italia dhe Holanda janë skualifikuar për arsye që përshkruhen si “pasaktësi të vogla” apo interpretime të diskutueshme të dokumentacionit dytësor.

Në garë mbeti vetëm një ofertues: kompania Archirodon Construction (Overseas) Company Limited, e regjistruar në Qipro dhe pjesë e grupit Archirodon, e prezantuar publikisht si kompani greke. Një rol kyç në këtë proces ka pasur Jonaid Myzyri, vartës i zv/kryeministres Belinda Balluku, i cili refuzoi ankesën e konsorciumit belgo-francez Jan de Nul – Vinci – SoletancheBachy, duke i hapur rrugën fitores së kësaj kompanie.

Si u eliminuan ofertuesit kryesorë

Në tender morën pjesë pesë oferta:

  • një kompani kineze lider globale në ndërtimin e porteve;
  • konsorciumi belgo-francez Jan de Nul – Vinci – SoletancheBachy;
  • një konsorcium italo-holandez;
  • një kompani hollandeze e specializuar në punime detare;
  • kompania qipriote Archirodon.

Tre nga kompanitë më të mëdha në botë u skualifikuan që në fazën e parakualifikimit, pa dhënë sqarime bindëse. Sipas dokumenteve, konsorciumi belgo-francez u përjashtua për mungesë detajesh mbi ndarjen e përqindjes së punimeve në një projekt referencë të realizuar në ishullin Reunion të Francës, një nga projektet më të njohura infrastrukturore në botë. Skualifikimi u konsiderua disproporcional, pasi edhe pa këtë projekt, përvoja e kompanive mbetej e mjaftueshme për kualifikim.

Refuzimi i ankesës dhe roli i Jonaid Myzyrit

Pas skualifikimit, konsorciumi Jan de Nul – Vinci paraqiti ankesë, por Komisioni i Vlerësimit të Ofertave refuzoi shqyrtimin e saj, duke kërkuar pagesën e një tarife prej 0.5% të vlerës së tenderit, rreth 2 milionë euro, brenda një afati dyditor. Konsorciumi argumentoi se ligji shqiptar e parashikon pagesën për ankimim vetëm në fazat pas parakualifikimit dhe se afati ishte i pamjaftueshëm për procedurat e brendshme financiare të një kompanie ndërkombëtare.

Megjithatë, Komisioni i Prokurimit Publik refuzoi argumentet dhe me një vendim të firmosur nga Jonaid Myzyri, urdhëroi vazhdimin e procedurës. Ky vendim i mbylli përfundimisht rrugën ankesës së konsorciumit dhe i hapi rrugë fazave të mëtejshme të tenderit.

Skualifikimi i fundit dhe mbetja e një fituesi të vetëm

Në fazën pasuese, edhe kompania hollandeze e kualifikuar u skualifikua për çështje që lidhen me procedurat e licencimit dhe dokumentacionin e personelit, pavarësisht se kishte ofruar garanci bankare prej 8 milionë eurosh. Kërkesat për shtyrje afati dhe sqarime nuk u pranuan, ndërsa komunikimi elektronik me autoritetin kontraktor u ndërpre.

Në përfundim, në garë mbeti vetëm një ofertues: filiali qipriot i kompanisë greke Archirodon, i krijuar në vitin 2017. Kjo situatë ka ngritur dyshime të forta se tenderi ishte paracaktuar dhe se eliminimi i ofertuesve të tjerë ka qenë pjesë e një skeme të qëllimshme për të orientuar rezultatin final.

Dosja tashmë ndodhet në SPAK dhe pritet të hedhë dritë mbi përgjegjësitë institucionale dhe individuale në një nga tenderët më të diskutueshëm të viteve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related