Skandali i tenderave të AKSHI-t, SPAK zbulon jahtin luksoz 1 milion euro të Ermal Beqirit – ishte regjistruar në emër të një punonjëseje

Data

Hetimet e Prokurorisë së Posaçme mbi skandalin e tenderave në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit janë thelluar dhe kanë hyrë në fazën e verifikimeve pasurore. Në këtë kuadër, SPAK ka zbuluar një jaht luksoz me vlerë rreth 1 milion euro, që dyshohet se i përket biznesmenit të shpallur në kërkim, Ermal Beqiri.

Bëhet fjalë për jahtin e tipit “Predator 50 Skyfall”, i ankoruar në portin e Durrësit, me vlerë tregu mbi 950 mijë euro. Sipas hetimeve, mjeti lundrues rezulton i regjistruar në emër të shtetases Xhenila Tamizi, punonjëse e kompanisë “Soft & Solutions”, por dyshohet se blerja reale është kryer nga vetë Ermal Beqiri, në përpjekje për të fshehur pasurinë.

Nga aktet hetimore rezulton se Xhenila Tamizi ka pasur një rol kyç në procesin e rekrutimit dhe trajnimit të stafit për kompanitë e lidhura me Beqirin. Punonjësit janë trajnuar fillimisht prej saj dhe më pas janë transferuar për të punuar në shoqëri të tjera të lidhura me biznesmenin Ergys Agasi, i cili gjithashtu ndodhet në kërkim.

Dëshmitë e marra nga punonjës të shoqërisë “EA Solutions” tregojnë se njoftimet për punë janë gjetur online dhe trajnimet janë kryer nga Tamizi. Pas përfundimit të trajnimeve, kontratat e punës nuk janë lidhur me “Soft & Solutions”, ku ajo ishte e punësuar, por me një shoqëri tjetër, “EA Solutions”. Ndërkohë, jahti luksoz rezulton i regjistruar pikërisht në emër të saj.

Në dosjen hetimore theksohet se kjo skemë dyshohet të jetë përdorur për të fshehur pronësinë reale të pasurive dhe për të maskuar përfitimet e paligjshme që rrjedhin nga tenderat publikë.

Paralelisht, SPAK bën me dije se Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri akuzohen për një sërë veprash të rënda penale, përfshirë shkeljen e barazisë në tendera, konkurrencën e paligjshme, heqjen e paligjshme të lirisë, pjesëmarrjen në grup të strukturuar kriminal dhe pastrimin e produkteve të veprës penale. Për të dy është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”, e cila ende nuk është ekzekutuar, pasi nuk ndodhen në territorin e Shqipërisë.

Në këtë dosje, Prokuroria e Posaçme ka vendosur masa sigurie edhe për disa zyrtarë dhe persona të tjerë të përfshirë, përfshirë drejtoreshën e AKSHI-t, për të cilën është caktuar masa “arrest shtëpie”, si dhe pezullime nga detyra për funksionarë të lartë policorë.

Gjatë muajve të fundit janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente biznesi në pronësi të Ergys Agasit në Tiranë dhe Durrës, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të skemës së dyshuar kriminale, e cila sipas SPAK ka funksionuar përmes manipulimit të tenderave publikë dhe pastrimit të parave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related