Dështon mbledhja për Ballukun, Këshilli i Imunitetit nuk mblidhet – Bardhi akuza Ramës dhe Peleshit për pengim të SPAK

Data

Për të dytën herë radhazi ka dështuar mbledhja e Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit për shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku. Deputetët e Partisë Socialiste nuk u paraqitën në mbledhjen e kërkuar nga pesë anëtarët demokratë të këshillit.

Gazment Bardhi, Gent Strazimiri, Oerd Bylykbashi, Elda Hoti dhe Saimir Korreshi u paraqitën në Kuvend në bazë të kërkesës së depozituar dy ditë më parë, por salla ku duhej të zhvillohej mbledhja ishte e mbyllur. Më pas, opozita tentoi të komunikonte me mediat nga ambientet e Kuvendit, por gazetarët nuk u lejuan të hynin, pasi dita ishte pushim zyrtar.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, se po pengojnë SPAK për të arrestuar Belinda Ballukun. Sipas Bardhit, Kuvendi është kthyer në “bunker mbrojtës” për zv/kryeministren, ndërsa Peleshi po vepron si avokat i saj duke zvarritur me qëllim procesin.

“Sot bëhen 10 ditë nga momenti kur SPAK ka kërkuar heqjen e imunitetit për Ballukun, e akuzuar për shkelje në 11 procedura prokurimi me vlerë rreth 1.1 miliardë euro. Deputetët e opozitës u paraqitën në mbledhje, por me një akt të turpshëm çdo sallë u mbyll dhe u pengua edhe komunikimi me mediat,” deklaroi Bardhi.

Ai theksoi se argumentet e dhëna nga Peleshi për mosmbledhjen e Këshillit janë të pajustifikuara, pasi kërkesa e Ballukut për tre javë kohë për mbrojtje dhe pritja e një vendimi të Gjykatës Kushtetuese nuk përbëjnë arsye ligjore për bllokimin e procesit parlamentar. Sipas opozitës, kjo kohë po përdoret për të intimiduar dëshmitarë dhe për të prishur prova.

Demokratët paralajmëruan se do të kërkojnë sërish mbledhjen e Këshillit javën e ardhshme dhe shprehen të bindur se procesi do të çojë përpara drejtësinë.

Mbledhja e parë e Këshillit të Imunitetit u zhvillua më 19 dhjetor me pjesëmarrjen e 10 deputetëve dhe tre prokurorëve të posaçëm. Në atë seancë, SPAK dorëzoi një USB me mbi 10 mijë faqe prova ndaj Ballukut. Megjithatë, palët nuk arritën dakordësi për caktimin e një date të re për vijimin e shqyrtimit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related