Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pesë shtetas, mes të cilëve kryeinspektorin dhe disa inspektorë të Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit (IVMT) Sarandë, të akuzuar për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Ndërtim i paligjshëm”.
Nga hetimet rezultoi se në zonën e Ksamilit, në vendin e quajtur “Kanali i Vivarit”, janë kryer ndërtime pa leje ndërtimi nga Agjencia e Zhvillimit të Territorit dhe pa kontratë me Agjencinë Kombëtare të Bregdetit. Kjo zonë bën pjesë në Parkun Kombëtar “Butrint” dhe gëzon statusin Monument Natyre.
Sipas Prokurorisë, punonjësit e IVMT pranë Bashkisë Sarandë nuk kanë zbatuar procedurat ligjore, duke mos konstatuar në mënyrë të plotë punimet e paligjshme dhe duke mos marrë masën administrative “dënim me gjobë”, siç parashikon ligji.
Për pasojë, janë dërguar për gjykim:
•shtetasi A.M., me detyrë Kryeinspektor i IVMT Bashkia Sarandë, i akuzuar për “Shpërdorim detyre”;
•shtetasit E.Z., B.K. dhe V.X., inspektorë të IVMT, të akuzuar për “Shpërdorim detyre”;
•shtetasi R.P., i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm”, “Pushtim toke”, “Shpërdorim toke” dhe “Dëmtim të habitateve në zonat e mbrojtura mjedisore”;
•si dhe personi juridik “Laguna Invest”, i akuzuar për “Ndërtim të paligjshëm” dhe “Pushtim toke”.
Prokuroria thekson se ndërtimet janë kryer në një zonë me mbrojtje të posaçme ligjore dhe se mosveprimi i strukturave vendore ka sjellë pasoja serioze për mjedisin dhe rendin ligjor.
