Zelensky: Rusia po përdor gjithnjë e më shumë Bjellorusinë për sulme ndaj Ukrainës, rrezik edhe për Minskun

Data

Forcat ruse po përdorin gjithnjë e më shpesh pozicionet e tyre në Bjellorusi për të ndërmarrë sulme kundër Ukrainës, deklaroi të premten presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, pas një takimi me shtabin e tij ushtarak.

Sipas Zelenskyt, sulmet e kryera nga territori bjellorus përfshijnë përdorimin e dronëve dhe raketave, me synimin për të anashkaluar mbrojtjen ajrore të Ukrainës. Ai e cilësoi këtë praktikë si të rrezikshme edhe për vetë Bjellorusinë, duke shtuar se është “për të ardhur keq” që Minsku, sipas tij, po ia dorëzon sovranitetin e vet ambicieve agresive ruse.

Zelensky paralajmëroi se çdo skenar i goditjeve parandaluese në territorin bjellorus do të ishte një situatë me rreziqe serioze. Ai pretendoi se shërbimet sekrete ukrainase kanë informacione se Rusia ka instaluar pajisje ushtarake brenda zonave të banuara në Bjellorusi, duke vendosur antena dhe sisteme drejtimi për sulme mbi çatitë e pallateve.

Sipas tij, kjo përbën një përçmim të hapur ndaj jetës njerëzore dhe ai i bëri thirrje Minskut të ndalojë, siç u shpreh, “lojëra të tilla”. Ai shtoi se mbrojtja ajrore e Ukrainës ka marrë udhëzime për të përshtatur strategjinë e saj, përballë këtij zhvillimi.

Në kujtesë, Zelensky rikujtoi se në fillim të pushtimit rus në shkurt 2022, Moska e përdori territorin e Bjellorusisë si bazë nisjeje për ofensivën drejt Kievit. Edhe pse forcat bjelloruse nuk morën pjesë drejtpërdrejt në luftime, Ukraina vazhdon të mbajë një numër të madh trupash në kufi për shkak të kërcënimit të vazhdueshëm.

Disa orë pas këtyre deklaratave, u raportuan shpërthime në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe u shpall alarm për sulm ajror. Kryebashkiaku Vitali Kliçko njoftoi se sistemet e mbrojtjes ajrore u aktivizuan dhe u bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë në strehimore.

Sipas raportimeve të mediave ukrainase, Kievi është përballur me një sulm të madh me raketa, ndërsa në disa zona u raportuan ndërprerje të energjisë elektrike. Po ashtu, u tha se në shënjestër kanë qenë disa objekte energjetike, përfshirë termocentrale dhe një hidrocentral.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related