Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të gazetarit Carlo Bollino, duke i cilësuar ato si insinuata pa prova dhe përpjekje për të ushtruar presion ndaj debatit publik dhe opozitës.
Në një reagim publik, Këlliçi thekson se në një debat serioz “presioni nuk zëvendëson provën dhe insinuimi nuk zëvendëson përgjegjësinë”, duke akuzuar Bollinon se nuk ka paraqitur fakte, por vetëm një “monolog vetëjustifikues”, ku sipas tij ndërrohen role mes gazetarit, biznesmenit dhe kërcënuesit.
Sipas deputetit demokrat, kërcënimi me kallëzime në SPAK ndaj një deputeti për qëndrime politike përbën presion të hapur ndaj fjalës së lirë dhe debatit demokratik, dhe jo mbrojtje të interesit publik. Ai e cilëson këtë qasje si një model presioni politik të maskuar si gazetari.
Këlliçi kritikon ashpër edhe atë që e quan “model anti-gazetarie”, duke akuzuar për ndërhyrje informale në administratën publike, përfitime nga prona publike në shkelje të ligjit dhe përdorimin e medias si mjet presioni politik.
“Politika nuk ka nevojë për roje privilegjesh të veshur si gazetarë, por për institucione të forta dhe media të lirë”, thekson Këlliçi, duke shtuar se presioni dhe frika nuk janë më instrumente për të mbajtur pushtetin.
Në reagimin e tij, deputeti deklaron se nuk shqetësohet nga fyerjet apo presionet, por nga normalizimi i një modeli që përdor median për privilegje dhe për të intimiduar çdo zë opozitar. Ai shton se Shqipëria ka hyrë në një fazë ku autoriteti nuk imponohet, por fitohet me ligj, etikë dhe standarde demokratike.
