Shqiptarët paguajnë më shumë për ushqimin, ndërsa të ardhurat mbeten të ulëta

Data

Tryeza e festave edhe këtë fundvit do t’u kushtojë shtrenjtë familjeve shqiptare, pasi çmimet e shportës ushqimore dhe jo vetëm vijojnë të rriten. Produktet bazë, që zënë pjesën më të madhe të shpenzimeve mujore, po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për një pjesë të madhe të qytetarëve.

Nga vendi më i varfër i rajonit tre dekada më parë, Shqipëria sot konsiderohet një nga vendet më të shtrenjta për të jetuar. Ky realitet reflektohet drejtpërdrejt në konsum, në zakonet e blerjes dhe në mirëqenien e familjeve, në një kohë kur fuqia blerëse për frymë mbetet ndër më të ulëtat në Evropë dhe Ballkan.

Sipas Barometrit të Ballkanit 2025, rritja e çmimeve është shqetësimi kryesor ekonomik për 72% të shqiptarëve, duke e renditur vendin në vendin e dytë në rajon pas Kosovës. Diferencat e çmimeve janë të dukshme në çdo treg dhe pothuajse në çdo produkt.

Tregtarët raportojnë se perimet e serrave, si domatet dhe kastraveci, kanë arritur në 200–240 lekë për kilogram, ndërsa një vit më parë çmimet ishin dukshëm më të ulëta. Parashikimet janë edhe më pesimiste për muajt e dimrit, kur prodhimi vendas bie dhe tregu mbushet me produkte importi.

Edhe pse autoritetet kanë njoftuar masa për mbikëqyrjen e tregut dhe kanë gjobitur disa ndërmarrje për bashkërendim çmimesh, situata mbetet e pandryshuar për konsumatorët. Ekspertët vërejnë se rritja e çmimeve ndikohet nga inflacioni i importuar, mungesa e konkurrencës reale dhe varësia e lartë nga importi për produktet ushqimore.

Paradoksi qëndron në faktin se, pavarësisht rënies së euros në muajt e fundit, çmimet nuk kanë reflektuar ulje. Përkundrazi, importi vijon të hyjë me kosto më të larta, duke rënduar edhe më shumë buxhetin familjar.

Të dhënat zyrtare tregojnë se Indeksi i Çmimeve të Konsumit ka shënuar rritje vjetore, duke reflektuar rritjen e kostos së jetesës. Produktet e bulmetit, veçanërisht djathi, dhe mishi janë ndër artikujt që janë shtrenjtuar më shumë, për shkak të rënies së prodhimit vendas dhe varësisë nga importi.

Familjet po detyrohen të blejnë sasi më të vogla, shpesh vetëm për konsum ditor, duke hequr dorë nga cilësia dhe larmia. Për shumë prej tyre, shpenzimet për ushqim janë kthyer në barrën kryesore mujore.

Edhe këtë fundvit, Shqipëria vijon të mbetet “kampione” e rritjes së çmimeve, krahasuar jo vetëm me vendet e rajonit, por edhe me vende të Bashkimit Evropian. Në vend të festave, për shumë familje prioritet mbetet përballimi i kostos së jetesës, ndërsa konsumi vazhdon të bjerë ndjeshëm.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related